Seanca hapëse filloi me fjalimin e Tigran Hakobyan, kryetar i Komisionit për Televizionin dhe Radion e Armenisë që ia dorëzojë zyrtarisht presidencën e MNRA-së, kryetarit të KPM-së, Besnik Berisha.

Në këtë seancë që bëri bashkë rregullatorët e medias, ekspertët dhe institucionet për të diskutuar sfidat e përbashkëta, arritjet dhe vizionin e ardhshëm të rrjetit, kryetari i KPM-së, tash president i MNRA-së, Besnik Berisha, tha se media e lirë është themel i demokracisë.

“Ne e pranojmë këtë përgjegjësi me respekt të thellë për rrjetin tonë dhe misionin e tij. Unë qëndroj sot para jush me nder dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie për të folur mbi një nga themelet thelbësore të një shoqërie të lirë: të sigurojmë që rregullimi i mediave të mbetet i pavarur dhe i qëndrueshëm, mjaftueshëm i fortë për të rezistuar ndërhyrjeve dhe mjaftueshëm fleksibël për t’iu përshtatur ndryshimeve”, tha Berisha.

Ndërkohë një sesion i dedikuar mbi Mbrojtjen e të miturve në internet u mbajt në Asamblenë Plenare të MNRA-së, ku paneli prej ekspertëve trajtuan sfidat kryesore të sigurimit të një mjedisi digjital më të sigurt për fëmijët, duke nënvizuar rolin e rregullimit, kornizave ligjore dhe bashkëpunimit ndërsektorial në mbrojtjen e audiencës së re në internet.