Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur takimin e radhës së Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, nën udhëheqjen e zëvendësministrit në detyrë, Bardhyl Dobra, që tha se reforma e administratës publike mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës.
“Me këtë rast, zëvendësministri Dobra, vuri në dukje se RAP synon ndryshimin rrënjësor të cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve përmes krijimit të një administrate moderne dhe të aftë, gjë që ndihmon po ashtu edhe në përmbylljen e suksesshme të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, thotë MPB-ja.
Në këtë takim Dobra konstatoi se zbatimi i Planit të rishikuar të Veprimit gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2025, ka shënuar progres, por tha se mbetet ende angazhim drejt realizimit të plotë.
“Në këtë takim u miratua edhe Raporti gjashtë mujor mbi zbatimin e Planit të Veprimit për vitin 2025 të Strategjisë për Reformën e Administratës Publike 2022-2027. Kjo strategji është dokumenti kryesor për fushën e administratës publike dhe reflekton përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë në funksion të përmirësimit, reformimit dhe modernizimit të gjithëmbarshëm të kësaj fushe”, thotë MPB-ja.
Në fund të takimit, zëvendësministri në detyrë, Dobra, kërkoi rritje të angazhimit, përkushtimit dhe bashkëpunimit të institucioneve, siç tha, për të siguruar një funksionim më të mirë dhe qëndrueshëm të administratës publike përmes zhvillimit, zbatimit dhe rishikimit efektiv të politikave të qeverisë.