Investime në shëndetësi, arsim e infrastrukturë, përfshirë edhe atë në transport publik e përkrahje për fermerët, u premtuan sot në Viti, në tubimin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, tha se vitiasit janë me fat që për kandidat për kryetar komune kanë Arsim Ademin, të cilin ai e cilësoi si person që do të realizojë shumë projekte, siç është ai për mungesën e ujit të pijshëm.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin elektoral në Viti, derisa premtoi mbështetjen për Arsim Ademin, kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, tha se nga pritja që vitiasit i bënë atij, shihet fitorja e Vetëvendosjes. Derisa premtoi investime të shumta në këtë komunë, tha se ka shumë arsye që banorët e Vitisë të votojnë për kandidatin Arsim Ademi.
“Këtu ka nevojë për ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza. Problemin e ujit të pijes do ta zgjidhim përmes Gigës së Firajës. Poliklinikë specialistike, sikur në Llap. Çerdhe e shkolla me pajisje… mbështetje. Për arsim, ku ka më mirë se Arsim Ademi… Arsim Ademi do t’i ndërtojë pesë çerdhe në Viti”, tha ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vitisë, Arsim Ademi, para të pranishmëve premtoi investime në infrastrukturë, arsim e shëndetësi.
“Zotohemi sot për qeverisje të mirë dhe administratë efikase, bashkëpjesëmarrje e qytetarëve për projekte, konkurse të hapura, trajnime të vazhdueshme deri në digjitalizimin e administratës. Arsimin do ta përmirësojmë përmes çerdheve të reja. Ato do të jenë… Do të përmirësojmë kushtet në shkolla, mësimin gjithëditor, por paraprakisht krijimin e kushteve. Përfundimi dhe funksionalizimi i teatrit të qytetit, mbrojtja e ambienteve të Trashëgimisë Kulturore, mirëqenia sociale, subvencionim të lindjeve nga 100 deri në 500 euro, ndërtimi i banesave për banim të përballueshëm, mbështetje për të moshuarit, zgjidhja e problemeve me ujë të pijshëm”, theksoi ai.
Mes tjerash, Ademi tha se ka në planet e tij edhe krijimin e transportit publik të organizuar, duke shtrirë rrjetin në të gjitha fshatrat e komunës, rishikimin e planit urbanistik e mbështetjen për fermerët. Lëvizja Vetëvendosje në Viti, në këtë tubim elektoral, prezantoi edhe 29 kandidatët për Kuvendin Komunal.