I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë më 5 nëntor se takimi i një nate më parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.
Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Long and difficult, but fair discussion with @predsednikrs @avucic last night.
I count on the responsible behavior of all to show restraint for security and stability. Violence must to be avoided.
Agreed that all Dialogue agreements have to be upheld and fully implemented. pic.twitter.com/8wUnW7nR0t
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 5, 2022
Ai i ka bërë këto deklarata pak orë pasi pjesëtarët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – do të vendosin nëse do të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky paralajmërim ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë dhe për të mbështetur policët që të mos zbatojnë planin për riregjistrim.
Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.
Takim lidhur me situatën në Kosovë do të zhvillojë edhe Qeveria serbe më 5 nëntor, dhe në të do të jetë i pranishëm edhe vetë Vuçiq.
Çfarë parasheh plani për targat?
Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Lista Serbe ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Çështja e targave ilegale ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës verën e kaluar, kur disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me procesin e riregjistrimit.
Për të ulur tensionet, dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 shtator.
Afati për riregjistrim fillimisht ishte planifikuar të skadonte më 31 tetor, mirëpo më pas Qeveria e Kosovës e ka prezantuar planin me tri faza.
Autoritetet në Serbi kërkojnë targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.