Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” kanë mbërritur sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka njoftuar kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Sipas njoftimit, dronët — të njohur si FPV të tipit RTF (Ready to Fly) — janë pajisur me mjete shpërthyese dhe synojnë të godasin objektiva lëvizëse dhe statike. Kontrata për furnizim u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar me kompaninë turke Baykar, e cila është kompania amë e prodhuesit Skydagger. Një pjesë e personelit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), dhjetëra ushtarakë, janë tashmë trajnuar për përdorimin e këtyre dronëve.
Kurti bëri të ditur se dronët ishin parashikuar të mbërrinin në janar 2026, por arritën tre muaj më herët. Sipas njoftimit, pajisjet u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që u morën vitin e kaluar — gjithsej 15 të tillë, 10 të blerë dhe 5 si donacion.
Me këtë blerje, thuhet se krahas Bayraktar TB2 dhe fluturakeve Puma, po vazhdohet ngritja dhe shtimi i fuqisë goditëse të ushtrisë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.