Ministra kosovare e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka përshëndetur të enjten vendimin për arritjen e një marrëveshjeje paqe ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit afatgjatë në rajon.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës vlerëson lidershipin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, si dhe përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit, të cilat kanë luajtur një rol thelbësor në arritjen e këtij zhvillimi historik”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Sipas këtij dikasteri, marrëveshja përfaqëson një hap vendimtar për zbatimin e fazës së parë të nismës për paqe në Gaza, duke mundësuar vendosjen e armëpushimit, lirimin e pengjeve dhe zgjerimin e ndihmës humanitare për civilët në nevojë.
“Kosova rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, duke shprehur besimin se ky zhvillim do të kontribuojë në stabilitet të qëndrueshëm dhe do të sjellë përfitime për të gjithë popujt e rajonit”, thuhet në reagimin e MPJD-së.