Për këto të dhëna njoftoi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjevem, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e orës 19:30, i cili tha se këto janë informacione nga 95% e vendvotimeve .

“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi pranuar nga rreth 95% e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është  791 mijë e 123 votues apo 39.07%, nga 2 milionë e 25 mijë e 105 votues”, tha ai.

Ai ka thënë se aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve.

“Procesi i votimit ka mbaruar në orën 19:00. Nga komunikimet dhe raportimet nga terreni vlerësojmë se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Nuk janë evidentuar incidente të cilat do të mund të cenonin integritetin, besueshmërinë apo mbarëvajtjen e procesit”, ka thënë ai.

“Ky është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara me ligj dhe rregulloret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Procesi i numërimit do të zhvillohet në dy etapa: fillimisht do të numërohen votat për kandidatët në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, ndërsa pas përfundimit të kësaj faze, do të vazhdohet me numërimin e votave për subjektet politike që garuan në zgjedhjet për Kuvendet Komunale”, tha ai.

Radoniqi bëri thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar në përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se nga ora 19:00 ka filluar afati 48 orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me procesin e votimit të sotëm”, tha kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjevem, Kreshnik Radoniqi.