Në kuadër të pjesëmarrjes në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes “AUSA 2025”, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi një takim me drejtorin e Agjencisë për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri të Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael F. Miller.
Bashkëbiseduesit diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e mbrojtjes, me fokus në prokurimin e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit përmes mekanizmit Foreign Military Sales (FMS), i cili ka mundësuar realizimin e marrëveshjeve “shtet me shtet” me SHBA-në, duke garantuar cilësi të lartë dhe kosto të ulët për produktet e prokuruara nga FSK-ja.
Në takim morën pjesë edhe zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqi, atasheu i mbrojtjes i Republikës së Kosovës në SHBA, kolonel Sylejman Cakaj, si dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euro-Atlantike, kolonel Ahmet Ajeti.
Palët gjithashtu shkëmbyen mendime rreth prokurimeve të ardhshme, si dhe për kontributin që Kosova i ka dhënë Ukrainës në kuadër të mbështetjes ndërkombëtare.