Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë me Dame Karen Pierce, të dërguarën speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja Osmani, përmes një shkrimi në X, ka njoftuar se në këtë bisedë telefonike është diskutuar për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, të cilat, sipas saj, dëshmuan profesionalizmin e institucioneve dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë.
Osmani ngriti edhe shqetësime serioze për ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor, duke theksuar se veprime të tilla godasin në zemër të demokracisë.
“Shpreha shqetësim të thellë për ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në zgjedhjet tona përmes veprimeve që godasin në vetë zemrën e demokracisë. Sjellje të tilla destabilizuese duhet të përballen me një reagim të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar ajo.
Në bisedë u trajtuan gjithashtu hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe thellimit të agjendës strategjike dypalëshe mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Gjithashtu diskutuam për hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe avancimit të agjendës sonë të përbashkët strategjike dypalëshe”, ka shkruar Osmani.