Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar rreth orës 23:31, kur në një parking të një ndërtese banimi ka shpërthyer zjarr, duke djegur një automjet dhe dëmtuar disa të tjera. Fatmirësisht, në këtë incident nuk ka pasur persona të lënduar, megjithatë zjarri ka paraqitur rrezik serioz për banorët përreth, njofton policia.

Pas veprimeve të shpejta dhe hetimeve intensive nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, kanë identifikuar katër persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast. Tre prej tyre, sipas njoftimit të policisë, janë arrestuar mbrëmë, ndërsa i katërti është ende në kërkim.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre është inicuar hetim për veprat penale “Zjarrvënie” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe kapjes së personit të katërt të dyshuar.