Basha tha se në këtë takim diskutuan për zhvillimet aktuale në vendin tonë dhe i biseduan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Këshillit të Evropës përmes projekteve të përbashkëta dhe konkrete.

“Bashkëpunimi institucional me Këshillin e Evropës ka dimension të posaçëm për vendin tonë, veçanërisht në fushat që lidhen me forcimin e demokracisë, transparencës parlamentare, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar për avancimin e standardeve demokratike që e afrojnë vendin tonë edhe më shumë me praktikat më të mira evropiane. Në takim ritheksuam edhe kërkesën tonë të drejtë e të bazuar për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Si shtet që i kemi përmbushur të gjitha kriteret e parapara, Kosova pret të jetë pjesë e kësaj organizate që promovon mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”, shkroi Basha në ‘Facebook’.

SIpas tij, anëtarësimi në Këshillin e Evropës njëkohësisht do ta shtonte një mekanizëm tjetër në qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët tanë pa dallim, duke ofruar të drejtën që t’i adresojnë rastet e tyre të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë shprehim mirënjohjen e sinqertë për znj. Mary Ann Hennessey për punën dhe përkushtimin e saj e të institucionit që ajo përfaqëson, për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e madhe të ofruar për institucionet tona dhe për përparimin demokratik të Republikës së Kosovës”, tha Basha.