Mes panelistësh nga përfaqësues të shute të FMN-së, mori pjesë e këtij paneli ishte edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, në sesionin e nivelit të lartë me temën “Forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar në kohë të pasigurive – Ndërtimi i kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion”, që u mbajt gjatë “Takimeve Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Grupit të Bankës Botërore”.
Përmes një komunikate për medie nga BQK bëhet e ditur se guvernatori Ismaili paraqiti arritjet kryesore të Kosovës në forcimin e sistemit financiar përmes ‘Rishikimit të Qëndrueshmërisë së Sektorit Financiar (FSSR) të FMN-së’, duke nënvizuar reformat në mbikëqyrjen bazuar në rrezik, monitorimin e rrezikut sistemik, politikën makroprudenciale, avancimet në statistikat financiare dhe përfshirjen financiare.
“Ai vuri në dukje se këto përpjekje kanë kontribuar gjerësisht në largimin e Kosovës nga lista e vendeve fragjile dhe konfliktuale të Bankës Botërore dhe FMN-së dhe në marrjen e vlerësimit të parë sovran kreditor nga Fitch Ratings”, thuhet në komunikatë.
Tutje, guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e vlerësimeve të rreziqeve me qasje drejt të ardhmes, përfshirë rreziqet e reja nga FinTech-et dhe jo-bankat, dhe rolin e kapacitetit analitik, të dhënave, sistemeve, duke përfshirë inteligjencën artificiale, në ruajtjen e stabilitetit financiar.
Guvernatori Ismaili falënderoi drejtuesit e FMN-së, donatorët dhe partnerët për mbështetjen e reformave të Kosovës, duke nënvizuar se arritjet e vendit reflektojnë përkushtimin e organeve drejtuese, angazhim të stafit dhe programet dhe asistencë teknike efektive.
”Pjesëmarrja e guvernatorit Ismaili në panelin e sotëm dëshmon progresin e vazhdueshëm dhe arritjet konkrete të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e shfaqur para një audience të gjerë ndërkombëtare në një sesion të transmetuar drejtpërdrejt nga FMN-ja”, thuhet në komunikatë.