Pak minuta pas përfundimit të takimit që ka pasur presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenca ka njoftuar për bisedat që janë zhvilluar me dyer të mbyllura.
Presidenca thotë se, Osmani gjatë takimit, theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces.
“Tani që Kuvendi është konstituuar, Presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Osmani, tutje në këtë takim, siç bëhet e ditur, ka ritheksuar rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE”, vijon njoftimi nga bisedat gjatë takimit të dyshes Osmani-Von der Leyen.
Bëhet e ditur se, e para e shtetit i ka theksuar të parës së Komisionit Evropian domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta që BE-ja i ka vendosur Kosovës, për të cilat edhe KE-ja kishte konfirmuar se ato duhet të hiqen.
“Në takim, Presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024”.
Tutje, bëhet e ditur se përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale.
Presidentes së KE-së, Osmani ia ka shprehur shqetësimin për ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë.
“Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin që ka ndarë me mediat Presidenca, pas takimit që Osmani ka pasur me presidenten e KE-së, Von der Leyen.