Një rast i rëndë i dhunës në familje ndodhi në orët e para të së premtes në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren. Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, dyshohet se një burrë ka plagosur me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur, të cilat ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, derisa i dyshuari është arrestuar.
Rasti ka ndodhur rreth orës 00:20 pas mesnate. “Policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore iu përgjigj menjëherë thirrjes dhe, me të arritur në vendngjarje, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshorten e të pandehurit), e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në momentin kur ka mbërritur ekipi i emergjencës mjekësore.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe vajza e mitur, e cila po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”, ka njoftuar tutje Prokuroria.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe forenzika, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.
“Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri, i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejshme” thuhet tutje në njoftim.
Ndërkaq, Hekuran Veçgishti, shef i Emergjencës në Prizren, për RTK ka konfirmuar rastin, duke bërë me dije se dy të plagosurat janë duke u trajtuar, por gjendja e tyre është e rëndë.