Seanca plenare mblodhi së bashku ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore dhe delegatë nga 191 vende anëtare për të diskutuar zhvillimet globale ekonomike, stabilitetin financiar dhe perspektivat për rritje të qëndrueshme.

Sipas njoftimit të BQK-së, gjatë seancës, presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, prezantoi zhvillimet më të fundit dhe prioritetet strategjike të institucionit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së drejtuar nga sektori privat, krijimin e vendeve të punës, ndërtimin e qëndrueshmërisë, parandalimin e konflikteve dhe rindërtimin në rajonet e prekura nga krizat.

Pas fjalës së tij, Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, Kristalina Georgieva, mbajti një prezantim që përmbledhte tendencat e fundit të ekonomisë globale dhe prioritetet e politikës së Fondit për forcimin e stabilitetit makroekonomik.

“Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në seancë ofroi një mundësi për të bashkëvepruar me politikbërës globalë dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare mbi çështje me interes të përbashkët, përfshirë perspektivat globale ekonomike dhe iniciativat për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar”, thuhet në njoftimin e BQK-së.