“Vit pas viti Kosova po bëhet storie suksesi për rritje ekonomike. Vendi ynë përsëri do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, sipas projeksioneve të FMN-së. Politikat ekonomike dhe masat e ndërmarra gjatë qeverisjes sonë po ndikojnë pozitivisht në progresin dhe zhvillimin e shtetit”, ka shkruar Kurti në Facebook, teksa ka shpërndarë një postim të mbrëmshëm të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi se pavarësisht sfidave dhe krizave globale, Kosova do të arrijë rritje ekonomike të lartë pa e thelluar deficitin buxhetor apo borxhin publik.

“Sipas raportit më të fundit të FMN-së, Kosova edhe sivjet do ta ketë rritjen ekonomike më të lartën në rajon. Kjo do të arrihet përkundër sfidave e krizave globale, si dhe duke mos e thelluar deficitin apo borxhin publik. Kjo edhe njëherë e dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë dhe njëkohësisht demanton të gjithë ata që prognozonin të kundërtën”, ka shkruar Murati.

E ndaj postimit të djeshëm të Muratit reagoi ish-ministrja e Financave dhe shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka krahasuar normat e rritjes së sotme me ato të viteve të mëhershme. “Atëherë kur deputeti Murati dhe bashkëpartiakët e tij rrokullisnin kamionë dhe gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend, rritja ekonomike ishte më e lartë se sot, ndërsa inflacioni pothuaj i pavërejtshëm. Sot rritja e Hekuran Muratit është 3.9%, por inflacioni në shtator ishte 4.7%”, ka shkruar Bajrami.