Të dielën janë zhvilluar tri ndeshje të xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll.

Në Skenderaj, Prishtina ka triumfuar ndaj Drenicës me rezultat dramatik 4:3.

Kryeqytetasit kanë pasur një pjesë të parë të shkëlqyer, duke e mbyllur 3:0 me gola nga Hamdi Namani (3’), Valmir Veliu (16’) dhe Dren Zeqiri (37’).

Në pjesën e dytë, Veliu shënoi edhe golin e dytë personal për 4:0, por Drenica nuk është dorëzuar. Genc Hamiti (52’), Jeton Krasniqi (54’) dhe Igball Jashari nga penalltia (89’) e kanë ngushtuar diferencën, por pa arritur barazimin.

Në Podujevë, Llapi dhe Ferizaj i kanë ndarë pikët me rezultat 1:1.

Llapi ka kaluar në epërsi me golin e Muhamet Hysenit në minutën e gjashtëdhjetë e një, por vetëm shtatë minuta më pas, Betim Haxhimusa ka barazuar për mysafirët.

Në Suharekë Ballkani ka fituar 2:0 ndaj Dukagjinit.

Almir Kryeziu e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e pesëdhjetë e tretë, ndërsa portieri Cyrus Margono ka realizuar autogol në minutën e shtatëdhjetë e pestë, duke vulosur fitoren e vendasve.

Aktualisht tabela e Superligës kryesohet nga Prishtina me njëzet e dy pikë, ndërsa në vendin e fundit gjendet Prishtina e Re me shtatë pikë.