Letra i është adresuar presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministres estoneze Kaja Kallas, zëvendëspresidentit të Komisionit Margaritis Schinas dhe përfaqësuesit të BE-së në Kosovë,Tomas Szunyog.

“Jemi thellësisht të shqetësuara për ndikimin negativ që këto masa kanë shkaktuar në aspiratat evropiane të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në letër, ku organizatat theksojnë se masat “nuk rezultuan të jenë as të kthyeshme e as të përkohshme” dhe se ato “kanë sfiduar, por jo edhe thyer besimin dhe partneritetin që lidh Kosovën me Bashkimin Evropian”, thuhet në kërkesë.

Në dokument theksohet se, ndonëse BE-ja kishte nisur në maj të vitit 2025 procesin e tërheqjes graduale të masave, “rrethanat që fillimisht nxitën vendosjen e tyre tashmë nuk ekzistojnë më”.

“Heqja e masave do të përcillte një mesazh pozitiv bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe do të forconte më tej besueshmërinë e BE-së dhe angazhimin e saj në rajon”, thuhet më tej.

Organizatat nënvizojnë se pas zgjedhjeve të fundit lokale, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës është një hap pozitiv drejt rikthimit të legjitimitetit dhe përfaqësimit politik, ndërsa sulmi terrorist në Banjskë dhe aktakuzat ndaj përgjegjësve “shënuan një moment të rëndësishëm në përballjen me strukturat kriminale në veri”.

Mes tjerash organizatat i bëjnë thirrje institucioneve të BE-së që të përfundojnë plotësisht heqjen e masave, duke theksuar se “populli i Kosovës vazhdon të përballet me sfida, dhe heqja e këtyre masave do të ofronte optimizëm të ri për rrugën tonë evropiane”.

Letra është nënshkruar nga:
GLPS, EPIK, GAP, KCSF, INDEP, CDF, KWN, KLI, Lëvizja FOL, ATRC, D4D, KDI dhe YIHR KS.