Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që është lider i Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë një takimi me diasporën në Londër, atje ku po qëndron në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, ka thënë se po përpiqen maksimalisht për krijimin e qeverisë së re, por, para bashkatdhetarëve e pranoi se kjo nuk është kollaj për t`u arritur.
Madje sipas Kurtit, alternativë duket se janë zgjedhjet, sepse siç ka thënë në këtë takim para bashkatdhetarëve, as opozita nuk ka vullnet e as synim për qeveri të tyre.
“Do të përpiqemi maksimalisht deri ditën e diele. Prandaj, në këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, duke biseduar. Nuk është kollaj, se s’di si me ua shpjeguar. Është e intoksikuar atmosfera shumë. Ka shumë xhelozi, inat e cinizëm, shumë më shumë se ide punë e pasion, por jemi ku jemi tash këtu dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe siç po duket alternativa, do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për qeveri të tyre”, ka thënë Kurti në Londër, videot e të cilave deklarime nga takimi me kosovarët atje, janë shpërndarë në rrjete sociale.
Takimi me bashkatdhetarët është organizuar nga Ambasada e Kosovës në Londër, të cilët i kishin ftuar kosovarët atje për bashkëbisedim të hapur me kreun në detyrë të qeverisë.
Vetë Kurti, më herët shkroi se sa herë e takon diasporën bashkëbisedimi me ta është i hapur e produktiv.
“Kësaj radhe, takimin me mërgimtarët e patëm mbrëmë në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, atje ku të mërkurën do të mbahen punimet e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit. Mërgimtarët tanë na përfaqësojnë denjësisht anekënd botës. Bashkë diskutuam për partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, fuqizimin e lidhjeve mes dy shteteve dhe diasporën si urë që e forcon këtë marrëdhënie. Nuk munguan as bisedat mbi zhvillimin dhe progresin e Kosovës, teksa i informova për arritjet e sukseset e qeverisë sonë dhe objektivat për mandatin tonë të ardhshëm”, ka shkruar kreu në detyrë i qeverisë i cili atje po qëndron në kuadër të Samitit të radhës të Procesit të Berlinit.