Policia e Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm duke ndaluar dy persona të dyshuar për trafikim me substanca narkotike dhe duke konfiskuar një sasi të konsiderueshme droge dhe para të gatshme.
Policia njofton se gjatë kontrollit, shtetasi i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar nga policia falë reagimit të shpejtë dhe profesional të njësisë policore.
“Ai ka rezistuar në mënyrë agresive dhe ka sulmuar zyrtarët policorë. Gjatë arrestimit, tek i dyshuari janë gjetur dy paketime të mbështjella që përmbanin një substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale prej 2,270.6 gramë. Në vendin e ngjarjes, përveç drogës, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 12,550 euro para të gatshme, 1,000 euro të tjera dhe një telefon mobil”, njofton policia.
Lidhur me rastin, në vendngjarje ka dalë edhe Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit kosovar, ku nuk është gjetur ndonjë material i dyshimtë.
Të dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.