Nën udhëheqjen e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE),  Ymer Fejzullahu, njëkohësisht edhe udhëheqës i Grupit Implementues të Projektit për Bashkimin e Tregut të Energjisë Elektrike ndërmjet Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, u mbajt takimi i radhës i këtij grupi punues.

Sipas njoftimit nga ZRrE, gjatë takimit u trajtuan çështje kyçe që lidhen me ecurinë e bashkëpunimit teknik dhe institucional ndërmjet palëve pjesëmarrëse. Anëtarët e Grupit Implementues diskutuan propozimin e fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER) lidhur me qëndrimin mbi Kalkulimin e Kapaciteteve Regjionale (CCR).

“Pas diskutimeve, anëtarët e grupit u pajtuan të mbështesin Operatorët e Sistemit të Transmisionit (OST) në përpjekjet e tyre për përditësimin e metodologjive të Kalkulimit të Kapaciteteve Regjionale (CCR) në rajonin e Evropës Juglindore (SEE), në të gjithë kufijtë e zonave ofertuese të shteteve përkatëse”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, u shqyrtuan zhvillimet më të fundit në procesin e aderimit në projektin Italian Borders Working Table (IBWT), si dhe u diskutua progresi në transpozimin e paketës së legjislacionit evropian për integrimin e tregut të energjisë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Në përfundim të takimit, anëtarët e Grupit Implementues shprehën përkushtimin e tyre të plotë për integrimin e tregjeve energjetike dhe ndërtimin e një tregu energjetik rajonal më efikas dhe të qëndrueshëm, që do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji në gjithë rajonin.