(E plotësuar) Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në Universitetin e Berlinit, tha se Serbia, dora e zgjatur e Rusisë, vazhdimisht përpiqet ta dëmtojë sovranitetin e Kosovës, përmes destabilizimit, dezinformimit dhe duke përkrahur grupet terroriste kriminale.
Por, tha ajo, Kosova nuk frikësohet. Përgjigjja ndaj agresorit që maskohet si paçebërës, sipas Osmanit, është të kesh aleanca të forta.
“Kosova nuk do të frikësohet. E dimë se si veprojnë agresorët, çfarë mund të bëjnë dhe çfarë do të bëjnë nëse nuk i ndalim ne së bashku. Përfundimisht përgjigjja ndaj dhunës është sundimi i së drejtës, përgjigjja ndaj propagandës është e vërteta, përgjigja ndaj frikës është guximi i përbashkët e i ringjallur, e më me rëndësi, përgjigjja ndaj agresorit që maskohet si paçebërës është të kesh aleanca të forta. Vetëm aleanca e demokracive mund të kthejë prapa ata që synojnë të na kthejnë neve prapa”, vijoi Osmani.
Osmani: Me investimin në zgjerim, Evropa nuk bën çështje bamirësie, por investon në paqen, fuqinë e në stabilitetin e vetë
Tutje, Osmani para audiencës në fjalimin e saj me temën ,”Mbrojtja e Demokracisë në Shekullin e 21-të: Mësime nga Republika më e Re e Evropës”, tha se nga përvoja kanë mësuar tri mësime për mbrojtjen e demokracisë.
“Mësimi i parë është që, liria nuk guxon të merret si e mirëqenë. Evropa e ka mësuar këtë shumë herë më parë. Liria duhet të mbrohet çdo ditë, do të thotë përbashkim kundër agresorëve”, tha Osmani.
Mësimi i dytë, sipas presidentes së Kosovës, është se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi.
“Në Kosovë vazhdojmë të kërkojmë llogaridhënie për krimet gjenocidale të kryera nga regjimi i Milosheviqit, sepse viktimat, të gjitha viktimat meritojnë të vërtetën, të mbijetuarit kërkojnë dinjitetin, dhe kriminelët që kanë kryer këto krime meritojnë të ballafaqohen me forcën e ligjit, e jo pandëshkueshmërisë”.
Mësimi i tretë, tha Osmani, është se e ardhmja e Evropës është më e fuqishme kur bashkohen.
“Dhe po, e dëgjojmë këtë frazë shpesh, por është momenti që Evropa ta realizojë këtë. Një Evropë që mbetet e paplotë e dobëson vetveten, kur ndalohet zgjerimi për shkak të çështjeve politike të brendshme, i gjithë Unioni rrezikon të humb kredibilitetin. Me investimin në zgjerim Evropa nuk bën çështje bamirësie, por investon në paqen e vetë, në fuqinë e vetë, në stabilitetin e vetë”, deklaroi ndër të tjera, Osmani.
Ajo tha se Kosova nuk kërkon privilegje, por kërkon drejtësi, për proces meritor, as shkurtesa, por një rrugë, “një shteg i qartë e kredibil, jo trajtim të veçantë, por respekt për punën që kemi bërë dhe reformat që vazhdojmë t’i ndërmarrim”.
Osmani:Unë vij nga Kosova, vendi ku beteja për liri bartë peshën e shekujve
“Unë vij nga Kosova, Republika më e re evropiane, vendi ku beteja për liri bartë peshën e shekujve”. Kështu e ka nisur fjalimin e saj, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Berlinit, në kuadër të serisë prestigjioze të fjalimeve të personaliteteve evropiane “Humboldt-Rede zu Europa”, me temën: “Mbrojtja e Demokracisë në Shekullin e 21-të: Mësime nga Republika më e Re e Evropës”.
Osmani, tha se nuk flet vetëm si presidente e shtetit, por edhe si ish-refugjate, ish-fëmijë lufte që ka shkuar në shkollë në bodrume shtëpish, dhe që ka mësuar që edhe një fletore e vetme mund të jetë shpallje e të drejtës.
“Flas si dikush që e di që demokracia nuk është thjesht një teori që jeton në libra, është praktikë që jeton në njerëz. Në fëmijërinë time ka qenë një mësim që kemi marrë të gjithë, mësimin që ka qenë shumë i thjesht, por edhe i përhershëm ‘liria nuk merret me një nënshkrim, liria fitohet , fitohet nga populli që refuzon ta dorëzojë dinjitetin e vetë, popull që është i gatshëm të sakrifikojë cdo gjë për të arritur irinë, dhe popull që kur ngritët me shpresë e vendosmëri, nuk ka forcë në këtë botë që mund ta ndalojë triumfin e tij”, tha Osmani.
E para e shtetit tha se sot Kosova është demokraci që vazhdimisht është përforcuar. “Institucionet tona mbajnë zgjedhje që janë të lira e garuese, më garueset në gjithë rajonin tonë ne fakt. Të rinjtë tanë e diaspora e shkëlqyeshme e udhëheqin një ekonomi digjitale që e lidhin Kosovën me Berlinin e Mynihun e shumë më gjerë. Politika jonë e jashtme është e ngulitur në të ardhmen evropiane, sepse ne e dimë se ku përkasim”, tha ndër të tjera Osmani në fjalimin e saj para të pranishmëve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Berlinit.




