(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të dielën në ora 10:00 për të votuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. Mandatari për formimin e Qeverisë, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka edhe dy ditë kohë për të prezantuar përbërjen dhe programin e kabinetit të tij para deputetëve.
Nëse Qeveria nuk zgjidhet deri të dielën, Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me më shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme qeverinë. Aktualisht, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e nevojshme nga partitë e tjera për të formuar shumicën.
Vetëvendosje më herët ka lënë të hapur mundësinë për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), por ka përjashtuar bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Gjatë një vizite në Londër, Kurti nuk e përjashtoi as mundësinë për zgjedhje të reja në rast se nuk sigurohet shumica parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave, presidentja Vjosa Osmani duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh.
I mandatuari i ri do të ketë 15 ditë për t’ia paraqitur Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës. Bazuar në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, mandatari i dytë mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe, nëse dëshmon se ka shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë.
Megjithatë, PDK-ja ka deklaruar se nuk do të pranojë mandatin në një situatë të tillë.
Një situatë e ngjashme kishte ndodhur në vitin 2020, kur ish-presidenti Hashim Thaçi ia dha mandatin për formimin e Qeverisë Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si partisë së dytë në renditje.
Aktualisht, përbërja e Kuvendit është si vijon: Lëvizja Vetëvendosje – 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës – 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës – 20 deputetë, Koalicioni AAK–Nisma – 8 deputetë. Nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar 9 nga 10 ulëset e garantuara për serbët, ndërsa një vend i takon Nenad Rashiqit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Dhjetë vende të tjera janë të rezervuara për komunitetet tjera joshumicë – boshnjakë, turq, goranë, romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
Për zgjedhjen e një Qeverie të re kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Zvarritja e krijimit të institucioneve rrezikon që vendi të mbetet edhe pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm.
Nëse vendoset për zgjedhje të reja, Presidentja e Republikës duhet t’i shpallë ato, pas konsultimeve me partitë politike, brenda 45 ditëve.




