Qeveria e re e propozuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk mori votëbesimin në Kuvendin e Kosovës. Me këtë, procesi për formimin e qeverisë kalon tani në duart e presidentes Vjosa Osmani, e cila sipas kabinetit të saj, do t’i ftojë partitë politike për konsultime brenda afatit kushtetues.
“Presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese,” ka thënë për RTK-në këshilltari për media, Bekim Kupina.
Pak ditë më parë, presidentja kishte paralajmëruar se, në rast të mosvotimit të Qeverisë, ajo brenda dhjetë ditëve do t’i ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë Qeverinë e re. Propozimi për kabinetin “Kurti 3” mori vetëm 56 vota pro, ndërsa 52 deputetë votuan kundër dhe 4 abstenuan.
Kryeparlamentari Dimal Basha ka deklaruar se është presidentja ajo që tani duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm kushtetues.




