Anëtarja e Kryesisë së Kuvendit, deputetja e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit para gazetarëve tha se situata në të cilën ndodhet vendi nuk është normale dhe nuk ka kohë për të humbur. Ajo tha se nuk do të lejojmë të shkelet Kushtetuta.
Ajo më tej bëri të ditur se Kuvendi nuk ka shumicë parlamentare dhe, sipas saj, nuk ka nevojë për taktizime, sepse, shtoi ajo, vendi ka nevojë për institucione që ky kuvend nuk po arrin të formojë një shumicë të re.
Ajo theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje e më pas partitë politike të ballafaqohen me sfidat e mëdha që ka qytetari i Kosovës.
“Tash e sa muaj ne flasim për proceduar, për formalitete për emra të përveçëm e nuk flasim për halle të mëdha të qytetarëve të vendit, nuk flasim për çmime të energjisë, nuk flasim për çmimet e shportës bazike, nuk flasim për hallet e bizneseve, e ndërmarrësve të rinj të cilët po detyrophen të largohen nga Kosova. Flasim se kush po bëhet kryetar e kush po bëhet kryeministër. I kujt? I një populli që po varfërohet çdo ditë”, deklaroi Çitaku.
Ajo tha se janë miratuar disa pika formale që i përkasin shpenzimeve të udhëtimeve, por jo diçka konkrete.
Çitaku më tej tha se po na kërkohet ta simulojmë demokracinë, duke shkelur Kushtetutën, teksa pyeti se kush është tani pozitë e kush opozitë, duke shtuar se janë dy komisione që i takojnë opozitës.
“Kë e mbikëqyr ky parlament, kush është Qeveria. I njëjti njeri që do ta sjellë buxhetin është edhe ministër, edhe deputet”, sqaroi Çitaku, derisa shtoi se nuk do të lejohet që me vetëdije të shkelet Kushtetuta, të shkelen institucionet, për të cilat është sakrifikuar gjatë, është sakrifikuar shumë.




