Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje konfirmoi se përfaqësuesit e kësaj partie do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani dhe se aty do të paraqesin qëndrimin e tyre.

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen në takimin e sotëm. Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha për RTKlive se në takim do të jetë i pranishëm edhe kryetari i partisë, Memli Krasniqi.
“Po, e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë”, ka deklaruar Çitaku.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku.
“Po, kryetari merr pjesë”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për RTKlive.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është bërë e ditur se në takim do të marrë pjesë kryetari Ramush Haradinaj.
“Po, kryetari Haradinaj do të marrë pjesë në takim”, ka thënë për RTKlive zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.