Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka bërë thirrje sërish partive parlamentare në Kuvend për themelimin e trupave parlamentare, në mënyrë që, sipas tij, të procedohet me votimin e buxhetit të Kosovës për vitin e ardhshëm.
Kjo thirrje e kreut të legjislativit erdhi pas takimit që ka pasur me shefin e misionit për Kosovën nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, David Amaglobeli.
“Bashkë biseduam për zhvillimet ekonomike dhe fiskale të vendit, ku u rikonfirmua fakti se Kosova po shënon një prej rritjeve më të larta dhe më të qëndrueshme ekonomike në rajon gjatë viteve të fundit. Po ashtu, ne mbetemi vendi me nivelin më të ulët të borxhit publik, që reflekton menaxhim të kujdesshëm financiar dhe politika të përgjegjshme makroekonomike si shtet”, ka shkruar kryeparlamentari në Facebook.
Basha është shprehur se në këtë takim ka theksuar gatishmërinë e nevojën urgjente që si Kuvend të miratojnë Projektligjin për Buxhetin për vitin 2026, me qëllim të sigurimit të pagesave publike dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.
“I bëj thirrje të gjitha subjekteve politike pa dallim, të tregojmë përgjegjësi institucionale dhe t’i themelojmë sa më parë trupat parlamentare dhe të procedojmë me miratimin e Buxhetit, dhe të dëshmojmë stabilitet institucional dhe seriozitet politik në funksion të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, ka thënë Basha.




