Sistemi Prokurorial i Kosovës ka theksuar se Raporti i Progresit i publikuar nga Bashkimi Evropian ka vlerësuar lartë punën e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, mirëpret raportin e progresit të publikuar nga Bashkimi Evropian, i cili vlerëson lartë punën e kësaj zyreje”, thuhet në njoftimin e Sistemit Prokurorial.
Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2024 kjo zyrë ka shënuar rezultate të theksuara në identifikimin dhe gjurmimin e pasurisë së fituar me vepër penale, e cila ka qenë objekt i rikthimit të mundshëm te buxheti i shtetit apo te pala e dëmtuar.
“Gjithashtu, ky raport potencon se Zyra për Rikthim të Aseteve, ka shënuar sukses edhe në bashkëpunimin ndërkombëtarë, duke shkëmbyer informacione me shumë vende të botës”, thuhet në njoftim.
Tutje siç thotë Sistemi Prokuroal, në raport theksohet se Zyra e Rikthimit të Aseteve, e themeluar vitin e kaluar në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, trajtoi me sukses një numër kërkesash në vitin e saj të parë, duke rezultuar në rikthimin e aseteve jashtë vendit.
Gjithashtu, raporti kërkon që burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare duhet t’i ndahen ZRA-së.
“Zyra per Rikthimin e Aseteve, duke çmuar lartë raportin e progresit të publikuar nga Bashkimi Evropian, shprehë përkushtimin për të vazhduar angazhimin e saj në plotësimin e të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që suksesi i ZRA të jetë edhe më i madh në të ardhmen”, potencohet në njoftim.




