Ai ka theksuar se, sipas informatave dhe dëshmive të siguruara nga autoritetet kosovare, Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe dhe aktualisht po trajtohet në spitalin e Nishit në Serbi, pas plagëve të marra.

Sveçla ka thënë se ky rast dëshmon sjelljen agresive dhe antidemokratike të Serbisë.

“Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”, ka shkruar ai në Facebook.

Ministri në detyrë ka shtuar se institucionet e Kosovës po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë. Sipas Sveçlës, përgjegjësit do të dalin para drejtësisë sapo të përfundojnë procedurat hetimore.

Ai ka apeluar gjithashtu tek bashkësia ndërkombëtare që të shtojë presionin mbi Serbinë, për të ndëshkuar këtë sjellje destabilizuese dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme që mund të rrisin tensionet në rajon.