Drejtori i televizionit në RTK, njëherësh drejtor i edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në RTK, Rilind Gërvalla, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar ekipin e madh që qëndroi pas suksesit të festivalit, duke e përshkruar këtë përvojë si një udhëtim plot dashuri, pasion dhe përkushtim ndaj artit e muzikës.
“E treta, thonë, është me fat … dhe, po, ia dolëm! Festivali foli vetë, me gjuhën më të bukur që ekziston: gjuhën e notave”, ka shkruar Gërvalla.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për drejtorin artistik të festivalit, Florent Boshnjaku, teksa vlerësoi se ai i dha muzikës trup e frymë, si dhe për skenaristin Genc Salihu që tha sipas tij i dha shpirt fjalës.
Po ashtu, ka falënderuar Arta Avdiun dhe Gentiana Begollin për kujdesin ndaj çdo detaji, si dhe Vesë Krajën, Donart Sejdiun e Besim Mikullovcin për ideimin e skenës, brendimin dhe grafikat e festivalit.
Duke reflektuar mbi thelbin e artit, Gërvalla ka theksuar se “pa dashuri, çdo muzikë do të tingëllonte si zhurmë, çdo vallëzim si çmenduri dhe çdo besim si një barrë e rëndë”.
Një moment i veçantë i festivalit, siç ka thënë ai, ishte ndarja e çmimit të karrierës “Okarina e Artë” për artistin legjendar Reshat Randobrava. “Një emër që s’ka nevojë për shumë fjalë, sepse veprat e tij frymëzuese janë kolonë zanore e brezit tonë. E kush nuk e kujton “Te penxherja jote” dhe “o moj ti me sytë e zi”?”, ka thënë Gërvalla.
Tutje ai paralajmëruar se udhëtimi nuk përfundon këtu, duke zbuluar konceptin e edicionit të katërt, që do të sjellë rikthimin e Akordeve të Kosovës, një ngjarje e madhe që do të përfshijë Festivalin e Këngës dhe Festivalin e Fëmijëve.
“Festivali i Katërt tashmë është një premtim, rikthimi i madh i Akordeve të Kosovës, që do të përfshijë Festivalin e Këngës (me natën e parë dhe natën finale) dhe Festivalin e Fëmijëve në ditën e dytë. Në fund të fundit, edhe akordet kanë fëmijët e tyre”, ka theksuar tutje Gërvalla.
Ai ka shprehur mirënjohje për ekipin e RTK-së, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin gjatë përgatitjeve, duke e quajtur këtë edicion një “udhëtim në det me valë”, ku çdo anëtar i ekipit ka kontribuar me pasion dhe profesionalizëm.
“Sinqerisht besoj se treguam bukur mirë se çfarë mund të bëjmë si RTK, por siç e njoh unë këtë ekip, ‘mirë’ nuk na mjafton kurrë. Synojmë ‘shumë më mirë’, dhe kjo është ajo që na bën të veçantë”, ka theksuar ai.
Në fund, Gërvalla ka falënderuar Ministrinë e Kulturës, Komunën e Prishtinës, AMC-në dhe Pallatin e Rinisë për mbështetjen e dhënë në realizimin e festivalit.
Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK u mbyll me sukses të madh, duke konfirmuar këtë ngjarje si një nga pikat më të rëndësishme të kalendarit kulturor në Kosovë dhe si një hap të sigurt drejt krijimit të një tradite muzikore që bashkon brezat dhe artistët shqiptarë.
Fituese e edicionit të tretë doli këngëtarja nga Tirana, Arsi Bako me këngën “Rreze zjarr”.



