Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.P., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili akuzohej për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit nga Gjykata, Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, shpalli të pandehurin fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjetësh.
“Ngjarja kishte ndodhur më 11 prill 2025, rreth orës 13:10, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, kur S.P. kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin P.N., duke rrezikuar edhe jetën e A.N.. Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje për pagesën e pijes në lokalin e tij “B.C.”, i pandehuri kishte marrë armën e tipit Zoraki 9×9 mm, dhe kishte shtënë tre herë në drejtim të të dëmtuarve. Dy plumba kishin goditur P.N. në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa A.N. kishte shpëtuar pa u lënduar”, thuhet në njoftim.
Pas ngjarjes, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes me armë në dorë dhe ka qëndruar në arrati për rreth tre javë, derisa është arrestuar nga policia.
Palët në proces kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.




