Përgjatë këtij viti, 97 qytetarë kanë vdekur si pasojë e aksidenteve rrugore, shifër më e lartë krahasuar me 83 viktimat e vitit të kaluar. Në kuadër të ditës ndërkombëtare të viktimave në trafik, policia ka nisur fushatë vetëdijesuese si për ngasësit ashtu edhe për këmbësorët.

“Sot fillon java e aktiviteteve për përkujtimin e viktimave të trafikut rrugor. Është një javë globale, një aktivitet global, gjatë së cilës çdo vit, në javën e tretë të nëntorit, shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve Rrugore. Së bashku me partnerët vendorë, përpiqemi sadopak që përmes fushatave vetëdijesuese dhe aktiviteteve të përbashkëta të ndërgjegjësojmë audiencën dhe pjesëmarrësit në trafik për rëndësinë e sigurisë rrugore. Vazhdojmë të lobojmë dhe të përcjellim mesazhin që të mos bëhemi pjesë e statistikave,”  tha Sara Fusha, koordinatore e fushatës.

“Edhe aktivitetet tashmë 10-vjeçare, sa i përket Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafikun Rrugor, kanë qenë pjesë e pothuajse të gjitha ngjarjeve, takimeve, hapjeve, ligjëratave dhe pjesëmarrjeve në terren, përfshirë edhe pikat e kontrollit me zyrtarët policorë. Kjo tregon ndikimin e drejtpërdrejtë që ka trafiku rrugor tek pjesëmarrësit në të. Edhe këtë herë do të mundohemi që, përmes aktiviteteve të planifikuara nga sot deri të dielën, të jemi pjesë e këtyre veprimtarive me qëllimin e vetëm që të kujdesemi që siguria në rrugë të jetë në nivel sa më të kënaqshëm,” tha Jeton Rexhepi, nënkolonel në Policinë e Kosovës.

Kjo ditë duhet të mos jetë vetëm përkujtimore, por një moment për ta forcuar kulturën e sigurisë rrugore për të shpëtuar jetë.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Urban do të shënohet me fushatën ku gjatë tërë javës do të ketë aktivitete ndërgjegjësimi.