Një alarm për një shpërthim të mundshëm në një shkollë në fshatin Bresje të Fushë Kosovës ka rezultuar i rremë. Policia e Kosovës ka konfirmuar se pas një kontrolli të detajuar nga njësitë e specializuara, në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Sipas zëdhënëses së Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, rreth orës 14:30 është pranuar një informatë për dyshime që ndërlidheshin me një shpërthim të mundshëm në një shkollë të kësaj zone. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitë policore kanë reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke ndërmarrë veprimet operative të nevojshme për menaxhimin e situatës.
Ajo potencoi se pas intervenimit të Policisë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Pas ndërmarjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative, si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Jemi në koordinim me prokurorinë për veprimet e mëtejme,” tha për RTKlive zëdhënësja Ahmeti.




