Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi. Zyrtarja akuzohet për veprën penale “Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Sipas SPAK, vendimi u mor sot, më 14 Nëntor 2025, pas analizës së provave që konfirmojnë se Kryebashkiakja ka ushtruar presion mbi një qytetar për të ndikuar në vullnetin e tij zgjedhor.
Kërcënimi në këmbim të favorit social
Nga hetimet e SPAK rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, i ka kërkuar shtetasit G.B. që të mos merrte pjesë në votime dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.
Shtetasi G.B. ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i kushteve të banimit”. Megjithatë, situata u ndërlikua kur objekti për të cilin ai kishte kërkuar mbështetje u konstatua se ishte një ndërtim i sapo nisur, me mangësi dokumentacioni.
Presioni dhe audio-përgjimi
Aksioni i kryebashkiakes dyshohet se erdhi pas publikimit të një audio-përgjimi më 6 Maj 2023, me titullin “Mos guxo të votosh”, ku Bufi shfaqej e revoltuar me qytetarin.
Para takimit final të regjistruar në ambientet e Bashkisë, shtetasi G.B ishte vizituar nga punonjës të IMT-së, të cilët i kishin kërkuar llogari për punimet e kryera pa leje dhe ndalimin e tyre.
Sipas SPAK, në takimin me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi e zhvilloi bisedën nën formën e presionit, duke i përmendur shkeljen e ndërtimit pa leje dhe faktin se ai i kishte dërguar mesazhe ku shprehte mbështetjen për kandidatin e opozitës.
“E pandehura Majlinda Bufi me pretendimin për të ‘shpëtuar’ shtetasin G.B nga kjo situatë paligjshmërie, i ka kërkuar: që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapi gojë, të mos flasë as ai as familja e tij, por të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Prokuroria e Posaçme thekson se kërkesa e Majlinda Bufit drejtuar shtetasit G.B. është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij. Megjithatë, sipas hetimeve, qytetari G.B. e ka ushtruar të drejtën e votës në datën 14 Maj 2023, siç ishte vullneti i tij.
Materialet tani i kalojnë Gjykatës së Posaçme, e cila do të vendosë për fatin e kryebashkiakes së Roskovecit./atsh




