Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur sot seanca e radhës në rigjykimin e rastit të njohur si “53-milionëshi”, ku dëshminë e tij e dha ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku. Ai deklaroi se gjatë mandatit të tij nuk ka pasur asnjëherë neglizhencë ndaj operatorit ekonomik Bechtel Enka lidhur me realizimin e pagesave për punimet.
Në këtë proces janë të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ish-ministri Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij Eset Berisha, ish-sekretari i përgjithshëm i MI-së Nebi Shatri dhe drejtori i prokurimit në këtë ministri Besim Tahiri. Të katër të akuzuarit ishin të pranishëm edhe sot në seancë.
Gjatë pyetjeve të kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, Zharku shpjegoi rolin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, e cila sipas tij ka qenë përgjegjëse si menaxhere e projektit, këshilltare financiare, operative dhe ligjore.
Ai theksoi se as ministri dhe as komiteti ndërministror nuk kanë pasur të drejtë ligjore të tejkalojnë opinionet dhe vlerësimet e kësaj kompanie.
Zharku u pyet nëse gjatë mandatit të tij ka pasur neglizhencë në kryerjen e pagesave ndaj Bechtel Enka-s.
“Kurrë asnjëherë nuk ka pasur neglizhencë. Bechtel ka punuar aq sa ka pasur buxhet, dhe çdo kërkesë për pagesë është evidentuar në raportet financiare të Qeverisë”, u shpreh ai
Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të tij kompania kishte paraqitur një kërkesë për mjete shtesë prej 25–26 milionë eurosh, të cilën e kishte vlerësuar “Hill International”.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, pyeti nëse ministri Pal Lekaj dhe zyrtarët tjerë do të duhej të merrnin udhëzime nga kompania mbikëqyrëse. Zharku u përgjigj se “Hill International” ishte autoriteti i vetëm ligjor për vlerësime financiare, operative dhe ligjore.
Gjatë pyetjeve nga mbrojtja e Lekajt, Zharku sqaroi se ndarjet buxhetore janë bërë në përputhje me kornizën afatmesme buxhetore. Megjithatë, ai pranoi se mungesa e mjeteve të mjaftueshme ka ndikuar në shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve.
“Po, ndarjet e pamjaftueshme buxhetore kanë shkaktuar shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve”, tha Zharku.




