Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës një aktakuzë ndaj tre personave, të cilët ngarkohen me disa vepra penale, përfshirë “Mashtrimin”, “Detyrimin”, “Lajmërimin apo kallëzimin e rremë” dhe “Mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri K.K. akuzohet për tentim të veprës penale “Detyrimi”, si dhe për “Mashtrim” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Prokuroria thotë se gjatë viteve 2023–2024, K.K. ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 485 mijë euro, duke e mashtruar të dëmtuarin E.N. me pretendimin se do të arrinte një marrëveshje joformale për shitjen e disa banesave në pronësi të tij. Megjithatë, pas arritjes së marrëveshjes, ai nuk e ka realizuar shitjen.
I pandehuri A.M. akuzohet për “Mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “Lajmërim apo kallëzim të rremë”, pasi sipas Prokurorisë, ka paraqitur një kallëzim të rremë ndaj të dëmtuarit E.N.
Ndërkaq, i pandehuri D.M. ngarkohet me veprën penale “Detyrimi”, pasi dyshohet se ka kanosur të dëmtuarin E.N. për të përfituar dobi të kundërligjshme pasurore, duke tentuar ta detyrojë atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se rasti tashmë është proceduar në gjykatë dhe pritet të caktohet seanca e shqyrtimit fillestar.




