Ka ndërruar jetë veprimtari dhe humanisti hasjan, Lumni Lushaj, si pasojë e një aksidenti trafiku.
Lushaj ishte një personalitet i çmuar, i cili ia kushtoi jetën çështjes shqiptare. Kontributi i tij në çlirimin e Kosovës, angazhimi i pandalshëm në shoqatën “Hasi” dhe përkushtimi për organizimin e komunitetit shqiptar në Kroaci – që nga vitet ’90 e deri sot – do të mbeten përherë pjesë e kujtesës dhe mirënjohjes së përbashkët.
I ndjeri ishte shembull i përkushtimit, atdhedashurisë dhe sakrificës. Trashëgimia e tij do të jetojë në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin, por edhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij. Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur opinionin në Prizren dhe në trevën e Hasit.
Lushaj humbi jetën sot, si pasojë e një aksidenti fatal që ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”. Lajmin e ka konfirmuar për RTKLive zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.
“Rreth orës 11:40, policia është njoftuar për një aksident trafiku të ndodhur në autostradë, në drejtim Prizren–Suharekë, kilometri i 32-të. Në aksident është përfshirë një veturë dhe dyshohet se një person është pa shenja jete dhe një tjetër ka pësuar lëndime”, ka deklaruar Krasniqi.




