Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se në takimin te presidentja Osmani, ai ka propozuar që data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të jetë 21 dhjetori.
“Kemi propozuar që dita e zgjedhjeve parlamentare të jetë 21 dhjetori, mendojmë që në këtë mënyrë do t’i fitojmë të paktën një javë kohë vazhdimeve buxhetore. Siç e dini buxheti i Kosovës mund të funksionojë edh janar e shkurt një e dymbëdhjeta. Po ashtu, qeveria në detyrë që është sot mund të marr ë vendime për të përmbushur disa detyrime që i ka, si ndaj RTK-së apo edhe ndaj palëve të tjera, sepse ekzistojnë këto praktika. Mirëpo për të vazhduar zbatimi i buxhetit në mars gjithsesi duhet një vazhdim nga Kuvendi i ardhshëm”, deklaroi ai pas takimit në Presidencën e shtetit.
Haradinaj, propozimin e partisë në pushtet që zgjedhjet të mbahen me 28 dhjetor e quajti arrogancë nga politika,një lloj përbuzje për qytetarët.
“Ka edhe diçka, periudha e para vitit të ri, sepse pushteti po kërkon datën 28 dhjetor. Ajo periudhë është çmuar e familjeve tona, e qytetarëve tanë, jo vetëm e pushimit, por edhe e bashkimeve familjare dhe shumë ngjarjeve festive. Është një arrogancë nga politika, një lloj përbuzje deri në ofendim me i shpallë zgjedhjet me 28 dhjetor në periudhën e pushimeve dimërore e me vazhduar me mbetur me numërime e rezultate edhe natën e vitit të ri. Data 21 është data e duhur, është racionale. Sido që të jetë, AAK-ja është e përgatitur në këto zgjedhje. Shkojmë të vetëm si Aleancë në këto zgjedhje”, deklaroi lideri i AAK-së.
Haradinaj pati një mesazh, tha se pas këtyre zgjedhjeve nuk do të ketë tolerime për askënd.
“Pas këtyre zgjedhjeve nuk do të kem tolerancë për askënd që bëhet pengesë për të ecur përpara në krijimin e institucioneve. Nëse opozita e deritashme e merr besimin, duhet të përshpejtojmë kohë sepse situata është serioze, jo vetëm të buxhetit por përfshirë edhe të sigurisë”, tha ai.




