Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian tha se është koha që Bashkimi Evropian të heqë masat ndaj Kosovës dhe të hapë rrugën për statusin e vendit kandidat.
Kurti, gjatë punimeve të Samitit, mbajti një fjalë të gjerë dhe të drejtpërdrejtë drejtuar liderëve të rajonit, përfaqësuesve të institucioneve evropiane dhe organizatave rajonale. Në fillim të adresimit, ai fillimisht uroi Shqipërinë për hapjen e kapitullit të fundit në negociatat e anëtarësimit, duke theksuar rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kurti rikujtoi arritjet më të fundit të Kosovës në sundimin e ligjit, duke përmendur indeksin e publikuar nga World Justice Project, i cili e renditi Kosovën të tretën ndër 15 shtetet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, si dhe të dytën në rajonin e Ballkanit Perëndimor për progresin më të madh në këtë fushë.
Ai theksoi se Kosova është vendi më i sigurt në rajon dhe ndër vendet me kriminalitetin më të ulët, si dhe se ka shënuar rritjen më të fuqishme ekonomike. Në këtë drejtim, ai nënvizoi vendimin e Bankës Botërore dhe të FMN-së për ta hequr Kosovën nga lista e shteteve fragjile, duke e konsideruar këtë si një dëshmi të qartë të konsolidimit të brendshëm institucional.
Megjithatë, kryeministri kritikoi politikën e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat, sipas tij, janë në kontrast me raportet dhe vlerësimet ndërkombëtare. Ai deklaroi se masat duhet të hiqen plotësisht dhe se aplikimi i Kosovës për status kandidat nuk duhet të mbetet i bllokuar.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se asnjë vend i rajonit nuk ka qenë më i përgatitur për këtë hap sesa Kosova sot, duke e cilësuar vonimin e BE-së si paradoksal përballë deklarimeve për urgjencën e zgjerimit.
Sa i përket zbatimit të Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, Kurti tha se Kosova është prapa jo për shkak të mungesës së vullnetit, por për shkak të rrethanave të brendshme politike, përfshirë vonesat në formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të shkurtit. Ai shtoi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të treta brenda vitit, duke garantuar se ato do të jenë të lira dhe demokratike, ndërsa shprehu bindjen se qeveria e re do të avancojë me ritëm të shpejtë reformat e parashtruara.
Në vijim, Kurti foli për nismat ekonomike dhe teknologjike që synojnë integrimin në Tregun Unik të BE-së. Ai theksoi se Kosova ka përparësi të larta në digjitalizim, mbulim të internetit me brez të gjerë dhe çmim më të ulët të energjisë elektrike në rajon – elemente që, sipas tij, e bëjnë vendin një kandidat të përshtatshëm për zhvillimin e “Fabrikave të Inteligjencës Artificiale”. Po ashtu, ai përmendi planet për të ndarë të paktën një miliard euro në vit për investime kapitale strategjike.
Në fjalën e tij, Kurti ngriti rëndësinë e infrastrukturës si bazë e integrimit ekonomik, duke kërkuar vëmendje të veçantë për projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, një lidhje që do të shërbente si nyje brenda korridoreve evropiane TEN-T dhe si një urë transporti mes rajonit dhe BE-së.
Ai foli edhe për progresin në kuadër të nismave të Planit të Rritjes, duke përmendur përfshirjen e pikave kufitare Hani i Elezit–Bllacë dhe Vërmicë/Morinë në nismën e “Korsive të Gjelbra”, si dhe dorëzimin e ligjeve për anëtarësim në SEPA, të cilat aktualisht janë nën shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, ai njoftoi se 33 prej 38 komunave të Kosovës janë përzgjedhur për projektin WIFI4WB, me instalimet që pritet të fillojnë në dhjetor.
Kurti theksoi nisjen e pilotimit të Portofolit Digjital të Kosovës, të modeluar sipas standardeve të BE-së, duke synuar autentifikim elektronik dhe nënshkrime digjitale të avancuara. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e Marrëveshjes për Pranimin e Vlerësimit të Konformitetit, si dhe sfidat strukturore për anëtarësimin në Konventën e Transitit të Përbashkët, aplikimi për të cilën ka mbetur pa përgjigje për më shumë se një dekadë.
Në lidhje me marrëveshjet e lëvizshmërisë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, Kurti shprehu shqetësimin për bllokimet e vazhdueshme, duke e cilësuar të papranueshme moszbatimin e marrëveshjes për institucionet e arsimit të lartë. Ai theksoi se pa lëvizshmëri të studentëve dhe punëtorëve, nuk mund të ketë as treg të përbashkët rajonal dhe bëri thirrje për veprim të përbashkët të palëve.
Kryeministri nënvizoi se gjatë kryesimit të Kosovës në CEFTA, vendi po demonstron lidership të qartë duke mundësuar zgjedhjen e drejtorit të CEFTA-s pas një bllokimi dyvjeçar dhe duke shtyrë përpara vendime të rëndësishme që priten të miratohen në dhjetor gjatë Javës së CEFTA-s në Prishtinë.
Në përmbyllje, Kurti falënderoi për pritjen në Tiranë, por ftoi që samiti i ardhshëm të mbahet në Prishtinë.



