KIRIL Dmitriev, një diplomat 50-vjeçar rus me njohuri të thella të Shteteve të Bashkuara, ku u arsimua dhe punoi, e ka gjetur veten në qendër të vëmendjes globale.
Si kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte dhe një njeri nga bota e biznesit, Dmitriev u bë një figurë kyçe në bisedimet me administratën Trump, dhe drafti i planit të paqes që doli nga takimet e tij me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff shkaktoi reagime të shumta, shkruan BBC .
Plani i paqes apo lista e dëshirave të Putinit?
Drafti i planit të paqes, i krijuar pas një takimi tre-ditor midis Dmitriev dhe Witkoff në Miami, përmban propozime që shumë i shohin si pasqyrim të dëshirave të Vladimir Putinit.
Ukrainës po i kërkohet të heqë dorë nga territori që aktualisht është nën kontrollin e saj dhe të zvogëlojë ndjeshëm ushtrinë e saj. Ndërsa ekipi i Kirill Dmitriev nuk pranoi të komentojë mbi detajet, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka qenë i kujdesshëm kur ka thënë se çdo marrëveshje duhet të sigurojë “një paqe dinjitoze, me kushte që respektojnë pavarësinë dhe sovranitetin tonë”.
Njeriu që lidh dy botë
Ndryshe nga shumë njerëz në Moskë, i dërguari special i Putinit e njeh mirë Ukrainën moderne. Ai u rrit në Kiev dhe një nga miqtë e tij pohon se si 15-vjeçar ai madje mori pjesë në protesta pro-demokracisë në prag të rënies së Bashkimit Sovjetik.
Është kjo njohje me mentalitetin amerikan dhe ukrainas që e bën atë një fenomen të rrallë në diplomacinë ruse. Bashkëpunimi i tij me kolegun e tij amerikan Steve Witkoff është bërë një konstante që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump. “Ne jemi të sigurt se jemi në rrugën e paqes dhe si paqebërës duhet ta bëjmë atë të ndodhë”, tha Dmitriev në një konferencë në Arabinë Saudite në fund të tetorit.
Bashkëpunim i ngushtë me të dërguarin e Trumpit
Takimi i parë midis dy të dërguarve duket se ka qenë në shkurt të vitit 2025, kur Dmitriev ndihmoi në lirimin e një mësuesi amerikan nga një burg rus.
“Është një zotëri nga Rusia, emri i tij është Kirill, dhe ai kishte shumë të bënte me këtë. Ai ishte një bashkëbisedues i rëndësishëm që krijoi urë lidhëse midis dy palëve”, u tha Witkoff gazetarëve në atë kohë. Disa ditë më vonë, të dy burrat morën pjesë në një takim në Arabinë Saudite që shënoi fundin e izolimit diplomatik të Rusisë në Perëndim.
Një propagandist me kostum diplomati?
Por qasja e drejtpërdrejtë te zyrtarët e Trump nuk ka qenë gjithmonë e suksesshme. Kur Trump vendosi sanksione ndaj dy prej kompanive më të mëdha të naftës ruse muajin e kaluar, Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, e quajti atë një “propagandist rus” për shkak se sugjeroi që ky veprim do të çonte në çmime më të larta të karburantit në SHBA.
Dmitriev, ndryshe nga shumica në rrethin e ngushtë të Putinit, ndihet rehat në studiot televizive amerikane, ku ai vlerëson me mjeshtëri aftësitë diplomatike të Trump, ndërsa përcjell rrëfimin e Kremlinit te audienca perëndimore. “Unë nuk jam ushtar… por qëndrimi i ushtrisë ruse është se ata synojnë vetëm objektiva ushtarake”, tha ai për CNN kohët e fundit, vetëm disa ditë pas bombardimit të një kopshti fëmijësh në Kharkiv, duke shtuar: “Unë thjesht po punoj për dialog dhe po sigurohem që konflikti të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Lidhjet me familjen e Putinit dhe sanksionet
Edhe pse Witkoff e vlerëson atë, që në vitin 2022, gjatë administratës së Biden, Thesari Amerikan e quajti atë një “aleat të njohur të Putinit” dhe sanksionoi Fondin Rus të Investimeve Direkte (RDIF), të cilin ai e ka menaxhuar që nga viti 2011. “Edhe pse zyrtarisht një fond shtetëror investimesh, RDIF konsiderohet gjerësisht si një fond sekret për Presidentin Vladimir Putin dhe një simbol i kleptokracisë më të gjerë ruse”, thuhet në deklaratë.
Qëndrimi i tij për atë periudhë është i qartë: ai pretendon se nën Bidenin nuk pati asnjë përpjekje për të kuptuar qëndrimin rus, ndërsa ekipi i Trumpit “ndaloi Luftën e Tretë Botërore”. Lidhjet e tij me drejtuesit e lartë forcohen më tej përmes gruas së tij, prezantueses televizive Natalia Popova, e cila është mike dhe kolege e vajzës së Putinit, Katerina Tikhonova.
Rruga nga Kievi në Kremlin
Ngritja e tij në Moskë është në kontrast të fortë me fëmijërinë e tij në Kiev, ku u rrit si bir i dy shkencëtarëve. Babai i tij është një biolog i njohur qelizor dhe nëna e tij një gjenetiste. Është kjo trashëgimi shkencore që mund ta ketë inkurajuar atë të përdorë një fond shtetëror për të financuar vaksinën ruse kundër Covid, Sputnik V. Edhe pse besohet se është takuar me Putinin në vitin 2000, ai nuk është pajtuar gjithmonë me pikëpamjet e tij.
Ndërsa Putini e quajti rënien e BRSS-së “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”, Dmitriev protestoi kundër regjimit sovjetik si adoleshent. Gjatë një programi shkëmbimi studentësh në Shtetet e Bashkuara në vitin 1990, ai madje theksoi identitetin kombëtar ukrainas, duke thënë se “Ukraina kishte një histori të gjatë si komb i pavarur përpara se të bëhej pjesë e Perandorisë Ruse”.
Pas një masteri në administrimin e biznesit në Harvard, ai punoi për McKinsey dhe Fondin Amerikano-Rus të Investimeve, përpara se të kthehej në Rusi në vitin 2011 për të drejtuar RDIF. Me kalimin e viteve, pikëpamjet e tij kanë ndryshuar – nga kritikimi i masave të ashpra të Putinit ndaj oligarkëve deri te paralajmërimi se Ukraina përballet me një “Holodomor ekonomik” nëse izolohet nga Rusia.
Projekte të pazakonta dhe reputacion i dëmtuar
Përveç diplomacisë, Dmitriev njihet edhe për propozime ambicioze tregtare, siç janë projektet e përbashkëta energjetike në Arktik, partneritetet me kompanitë amerikane dhe madje edhe ofrimi i “një centrali të vogël bërthamor për një mision në Mars” për Elon Musk dhe një tuneli hekurudhor “Putin-Trump” nën Ngushticën e Beringut.
Ndërsa reputacioni i tij po rritet në Rusi, ai ka rënë ndjeshëm në Ukrainën e tij të lindjes, ku ndaj tij janë vendosur sanksione për krime të dyshuara kundër Ukrainës dhe ukrainasve.






