Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar 26-vjetorin e themelimit. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se në këto 26 vite Shërbimi Korrektues ka dëshmuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim, por drejtësia është përgjegjësi, ndërtim dhe besim.
“Falë punës që zyrtarëve të këtij shërbimi të mbështetur në mekanizmat e drejtësisë sot kemi një sistem korrektues që fokusohet jo vetëm në ruajtjen e rendit por edhe në edukimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar”, ka thënë Osmani.
Dibrani: Shërbimi Korrektues institucion modern me standarde ndërkombëtare
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës Ismail Dibrani, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është nderuar këtë vit me çmimin e ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve dhe është anëtarësuar në rrjetin evropian të burgjeve, vlerësime që dëshmojnë harmonizimin e politikave dhe praktikave me standardet më të larta ndërkombëtare.
Sipas drejtorit të përgjithshëm, Ismail Dibrani, procesi rehabilitues ka marrë drejtimin e duhur dhe po gëzon besim të shtuar nga vetë rehabilituesit, ndërsa përparim i jashtëzakonshëm është shënuar edhe në fushën e sigurisë falë ngritjes së kapaciteteve profesionale, investimeve teknologjike dhe menaxhimit proaktiv.
Dibrani theksoi se Shërbimi Korrektues është shndërruar në një institucion bashkohor që zbaton standardet dhe praktikat më të avancuara ndërkombëtare, përfshirë trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria.
Këto deklarata u bënë gjatë ceremonisë së shënimit të 26-vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku drejtori e cilësoi këtë përvjetor si moment reflektimi mbi një rrugëtim sfidues por jashtëzakonisht të suksesshëm, gjatë të cilit institucioni ka kaluar nga një strukturë bazike në një institucion modern, profesional dhe human.



