Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për medie ka folur lidhur me situatën financiare të krijuar që, sipas tij, ka ardhur si pasojë e bllokadës nga Ministria e Financave.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë siç po ndodh sot. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë të hyrat vetanake të Kryeqytetit, shërbime jetike të Kryeqytetit, që përdoren për ushqim në shkolla, për transport publik, shëndetësi, ndihmë sociale, të cilat janë në prag të ndërprerjes nesër”, ka thënë ai.
Ai tha se bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona.
“Për mbi një vit, në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht me dispozitat ligjore kemi kërku alokimin e buxhetit që i duhet Kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtu. Buxheti i Prishtinës është blloku për çështje krejtësisht politike, 35 milionë euro kur prej tyre 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar janë blloku nga Ministria e Financave në kundërshtim me ligjin dhe me kushtetutë. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Murati për shkelje të ligjit. Jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik serioz e të menjëhershëm”, shtoi Rama.
“Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet, paralajmërime kemi marrë edhe nga ndërmarrjet e tjera, të cilat prej muajsh nuk kanë marrë pagesa. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar kurrë se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore”, tha ai.




