Ka përfunduar greva dy orëshe e punonjësve e Radiotelevizionit të Kosovës, në ditën e 24-të të mos marrjes së pagave të tyre. Përderisa greva u zhvillua në dy objektet e transmetuesit publik, në televizion dhe radio, kërkesat e punonjësve u drejtuan ndaj Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për ndërmarrjen e hapave të duhur ligjor për dalje nga kriza financiare.
“Po hyjmë në muajin e dytë pa asnjë sinjal nga askush. Andaj injorimi i kërkesave tona na kanë sjellë deri këtu. Na kanë injoruar kërkesat si sindikatë, kemi bërë thirrje më herët në Kuvend, meqë u shpërbë Kuvendi, tani po bëjmë thirrje te Qeveria. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti të ndërmerr menjeherë hapa ligjorë”, ka thënë Gëzim Bimbashi, kryetar i SPERTK-së.
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla iu është bashkuar grevës.
“Tash e 24 ditë punëtorët e RTK-së punëtorët janë pa paga. Gjendja është e rënduar, si drejtor i RTK-së jam në përkrahje të punëtorëve për kërkesat e tyre legjitime”, ka thënë ai.
Përkrahje për grevën dhe masat e radhës kanë dhënë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
“Bojkotimi i fushatës zgjedhore do të ishte hapi minimal i ngjarjeve politike. RTK është afër kolapsit, shpresoj se ky s’është interesi i Qeverisë së Kosovës që ta shoh të kolapsojë dhe të dështojë transmetuesi publik”, tha kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.
Punëtorët e RTK-së në grevë, transmetuesi publik në krizë financiare
Ka nisur greva e përgjithshme e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, të cilët janë obliguar të ndërmarrin këtë veprim pas ditës së 24-të të mungesës së ekzekutimit të pagave.
Greva do të vazhdojë deri në orën 13:00, me pezullimin e të gjitha punëve në çdo sektor. Sindikata e Punëtorëve të RTK-së përveç grevës, ka kërkuar që fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të bojkotohet nga RTK-ja.
Në të njëjtën kohë përveç në objektin e Televizionit të Kosovës, greva po mbahet edhe te objekti i Radio Kosovës, e iniciuar nga Shoqata Sindikale e Radio Kosovës. Shoqata ka kërkuar sërish nga organet përgjegjëse që të marrin masa urgjente për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në mënyrë që punëtorëve t’u garantohen të drejtat e tyre ligjore dhe institucioni të vazhdojë punën pa pengesa.






