Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur e as nuk do të ketë qeveri antiamerikane.
Kështu u përgjigj ajo kur u pyet për deklarimet e ish-diplomatit amerikan Philip Reeker, që kishte thënë se Kosovës i duhet një qeveri që bashkëpunon me amerikanët.
“Në Kosovë nuk ka pasur e as nuk do të ketë asnjëherë qeveri antiamerikane. Në Kosovë ka pasur gjithnjë, dhe do të ketë gjithnjë edhe në të ardhmen qeverinë më pro amerikane që mund ta gjejë ndokush, për shkak që e kemi popullin më proamerikan në botë, dhe secila qeveri e Kosovës që vjen, vjen nga po ky popull. Pra, nuk mund të ketë dallime mes popullit që krijon qeveri apo votuesve që krijojnë qeveri, dhe qeverisë, përderisa secila qeveri i ka metodat e veta, strategjitë e veta dhe mënyrën se si punon me partnerët, dhe për atë se si kanë punuar dhe si do të punojnë për të ardhmen”, tha ajo.
Presidentja tha se Amerikën e sheh si partner ekzistencial të Kosovës.
“Sa i përket punës sime si presidente mund të iu siguroj që kam pasur dhe do të vazhdoj të kem bashkëpunim të ngushtë me SHBA, sepse i shoh si partner ekzistencial në zhvillimin e Kosovës, mbrojtjen e lirisë e pavarësisë sonë si dhe tejkalimin e sfidave të sigurisë me të cilat ballafaqohemi. Ata janë partner i pazëvendësueshëm i sigurisë tonë, për ecjen tonë përpara në integrimet euroatlantike, prandaj është e domosdoshme që edhe koordinimin ta kemi të plotë e bashkëpunimin sa më të fuqishëm”, deklaroi Osmani.
Osmani: Ka shqetësim për zvarritje tjetër pas zgjedhjeve
Osmani foli edhe për zhvillimet politike në vend. E pyetur nëse ka shqetësim për një zvarritje tjetër pas zgjedhjeve, ajo tha se shqetësim ka.
“Shqetësim ka, sepse nuk është larg koha kur kishim situata të tillë, veç sa ndodhën këto zvarritje. Shpresoj shumë që kjo të ketë qenë një mësim e përvojë nga e cila të gjitha partitë politike të kenë mësuar se zvarritja është mbi të gjitha në dëm të qytetarë”, deklaroi Osmani.
Osmani: Kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhet e ka pasur mundësinë që të ta votojnë si pikë të ndarë në Kuvend
E pyetur nëse mund të bëjë diçka sa i përket buxhetit të komunave që janë në krizë financiare, tha se çdo kompetencë e ka shfrytëzuar.
“Kush ka dashur që kryeqyteti të ketë buxhet e ka pasur mundësinë që të ta votojnë si pikë të ndarë, fatkeqësisht kjo nuk u shfrytëzua si mundësi, edhe pse ka qenë e lejuar edhe me Kushtetutë, edhe me ligjet në fuqi edhe me praktikat parlamentare që një gjë e tillë të bëhet, sepse askund nuk ndalohet që Kuvendi nga momenti i konstituimit të mbajë seanca për tema të tjera të rëndësisë nacionale siç janë këto”
Osmani tha se për këtë i thirri partitë e i luti, para se të nënshkruante dekretin për shpërndarje të Kuvendit, por vullnet nuk pati, tha ajo.
“Unë nuk e kam nënshkruar dekretin, qëllimisht, njëherë i kam ftuar partitë, i kam lutur që të kthehen në sallën e Kuvendit, miratoni marrëveshjet ndërkombëtare, miratoni buxhetin për komunat që akoma nuk kanë buxhet, RTK-në e zgjatjet buxhetore për 3 muajt e parë që do të duhej të ishte vendim i Kuvendit. Kam kërkuar nga kryeministri a mund të heqësh dorë nga buxheti i vitit 2026. Ai është pajtuar që të hiqet buxheti nga agjenda dhe të shkohet në seancë vetëm me pikat tjera”, tha ajo, por sipas saj, nuk pati dakordim nga partitë tjera.
Ajo tha se në vitin 2021 kishte praktika të tilla.
“Në vitin 2020 edhe pasi Gjykata Kushtetuese ka thënë se ka dështuar mandatari i dytë, rrjedhimisht ka qenë kundërkushtetuese ‘Qeveria Hoti’, ka konstatuar në po të njëjtin Aktgjykim se kjo nuk nënkupton shpërndarje automatike të Kuvendit. Dhe pas atij Aktgjykimi ne jemi mbledhur në Kuvend e kemi miratuar buxhetin për vitin 2021”, tha ajo.
Situata në KPK, Osmani: Jam në bashkëpunim dhe koordinim me shtetet e QUINT-it lidhur me këto zhvillime jashtëzakonisht serioze
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani foli edhe për situatën e krijuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ajo tha se bashkë me partnerët po e analizojnë procesin e shkarkimit të ushtruesit të detyrës së kryeporokurorit, nga aspekti ligjor.
“Ne jemi duke e analizuar procesin nga aspekti ligjor, dhe njëkohësisht si presidente e Republikës dhe si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, jam në bashkëpunim dhe koordinim me shtetet e QUINT-it lidhur me këto zhvillime jashtëzakonisht serioze”, tha ajo.
Ajo tha se pas deklaratës publike të pesë anëtarëve të KPK-së se nuk ndjehen të sigurt, në komunikim me qeverinë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Është e pafalshme që 26 vjet pas luftës ne të kemi anëtarë të KPK-së qofshin ata prokuror apo joprokuror që nuk ndihen të sigurt apo të kërcënuar. Është me rëndësi që ata të ndihen të sigurt dhe të kenë mundësi të shprehin qëndrimet e tyre. Sistemi i drejtësisë në vend për një kohë të gjatë është ballafaquar me sfida sa i përket profesionalizimit, integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë. Është me rëndësi që deklaratat e mija të mos shihen si ndonjë ndërhyrje, sepse jam person politik që kurrë në karrierën time nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, që t’i lëmë vend edhe analizës së përbashkët që e kemi me partnerët tanë lidhur me procesin që ka ngjarë sa i përket tentim shkarkimit”, deklaroi Osmani.
Ajo tha se Bashkimit Evropian këtë e shohin si shkelje të parimit të sundimit të ligjit.
“Shpejt do të kemi deklaratë të plotë, pasi të përfundojmë analizën”, deklaroi Osmani.




