Siç njofton Policia, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ku janë siguruar prova relevante që lidhen me dyshimet se një operator ekonomik ka paraqitur dokumentacion në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik. Po ashtu dyshohet se dokumentet e paraqitura kanë qenë të pasakta ose të paqena, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit kompetent është ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimeve ekonomike dhe ju njoftojmë se hetimet e mëtejshme lidhur me rastin do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore”, theksohet në njoftim.