Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar sot formimin e një koalicioni me subjektin politik Lista për Familjen.
Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për media nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ku ishte i pranishëm edhe prijësi i Listës për Familjen, Eman Rrahmani.
“Sot kam kënaqësinë t’ju njoftoj që me z. Rrahmani dhe anëtarë të tjerë të Lstës Familja kemi bërë marrëveshje për koalicion dhe bashkëpunim para dhe paszgjedhor. Qëllimi i këtij koalicioni është që të bashkojmë forcat në funksion të progresit dhe ndryshimit të gjendjes në vend, duke përfshirë ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, energjinë, sigurinë dhe mirëqenien e familjes”, deklaroi Hamza.
Ai theksoi se koalicioni i ri paraqet një “partneritet të qëndrueshëm” dhe se pret sukses në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, kandidatët nga Lista për Familjen do të përfshihen në listën e përbashkët zgjedhore të PDK-së, duke e konsideruar këtë si një vlerë të shtuar për partinë.
Në konferencë foli edhe Eman Rrahmani nga Lista për Familjen, i cili u shpreh se marrëveshja u ofron mundësinë që kandidatët e tyre të përfaqësohen në listën zgjedhore të PDK-së.
“Kemi një marrëveshje bashkëpunimi ku na është ofruar mundësia të kemi kandidatët tanë në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo do të jetë një listë përmbajtësore dhe me vlera. Numri i kandidatëve është i mjaftueshëm, sipas kërkesës sonë, dhe jemi ndjerë të respektuar nga partnerët tanë të koalicionit”, deklaroi Rrahmani.




