Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, teksa ka folur për buxhetin e Komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, ka thënë se partitë opozitare kanë refuzuar pjesëmarrjen në seancën votuese.
“Sa i përket buxhetit të tri komunave, të pamiratuar, edhe kjo ka qenë një çështje që është trajtuar në seancën e jashtëzakonshme. Ka qenë si pikë e rendit të ditës, ne u kemi bërë ftesë partive opozitare, PDK, LDK, AAK, Nisma të cilët siç e dini kanë refuzuar pjesëmarrjen në atë seancë fillimisht me arsyetimin se nuk ishte kushtetuese, por më pas doli se që data e zgjedhjeve të caktohet 14 dhjetori në mënyrë që t’i pamundësohet diasporës që të vijë e të votojë këtu”, tha ai në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë.
Më tej Murati ka folur për situatën e krijuar në kryeqytet në raport me mos ekzekutimin e buxhetit.
“Sa i përket asaj se çfarë po ndodhë më vjen mirë që po i vjen fundi edhe farsës së prezantuar tash e sa ditë nga ana e Komunës së Prishtinës, sa i përket edhe mjeteve edhe të hyrave vetanake që mund të shfrytëzohen për të paguar faturat e mbetura. Sot me sa di është seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal e do të miratojë alokimin e ndarjeve nga të hyrat vetanake të cilat do të mund të shfrytëzoheshin për të paguar faturat e prapambetura sa i përket Trafikut Urban por edhe operatorëve të tjerë privat. Ky ka qenë një problem io vetë shkaktuar”, ka thënë ai.
Maqedonci për arrestimet e ushtarëve të UÇK-së: Serbia dhe qasja e saj hegjemoniste
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është pyetur për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Serbi, teksa ka thënë se kjo është një shpërfaqje e qasjes së saj hegjemoniste.
“Jemi të angazhuar të diskutojmë me të gjithë partnerët sa herë të kemi mundësi për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por përtej arrestimeve Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport me vendin tonë, duke mos njohur asnjë arritje të vendit tonë dhe duke vazhduar trajtimin e Kosovës si pjesë e saj. Pra problemi qëndron te qasja, tjerat janë pasoja”, ka thënë ai.
Murati: Ndarja e buxhetit për RTK-në u pamundësua nga opozita
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ndarja buxhetore për transmetuesin publik ka qenë i pamundshëm, sipas tij, për shkak të mungesës së komisioneve parlamentare.
“Sa i përket ndarjes së mjeteve deri tash është pritur se është dashur ta kryejë Kuvendi. PDK, LDK, AAK e Nisma kanë refuzuar kategorikisht dhe nuk ka pasur asnjë arsye, asnjë pengesë ligjore që ta kryenin detyrën e tyre e të themelohej Komisioni për Buxhet e Financa në Kuvend, i cili është përgjegjës për miratimin e alokimit të buxhetit për RTK-në, meqenëse kjo dështoi, dhe kemi situatë emergjente, si qeveri na është dashur të marrim mjete nga organizata të tjera buxhetore për të siguruar buxhetin, apo ndarjen për buxhetin e RTK-së, në vendëse të shfrytëzohej buxheti i cili është i paraparë me ligj për RTK-në”, ka thënë ai.
I pyetur nëse do të mbështeten institucionet siç janë RTK-ja deri në konstituimin e kuvendit në formën e njëjtë duke ndarë mjete nga kursimet, ministri Hekuran Murati tha se, sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm nuk është miratuar, përkundër lutjes e ofertave që tha se iu bënë partive të tjera në Kuvend.
“Nga muaji janar ne duhet të operojmë me atë çfarë e parasheh ligji për Menaxhimin e Financave Publike e që është zgjatje për dy muaj, për secilin muaj, janar e shkurt ndahet një e dymbëdhjeta , mirëpo prapë për autorizim të buxhetit për RTK-në, nevojitet autorizim i Komisionit për Buxhet. Kjo një e dymbëdhjeta që na alokohet është tejet kufizuese dhe duhet të shohim cilat janë mundësitë, nëse ka ndonjë mundësi sepse do të ketë problem edhe me ekzekutimin e shpenzimeve të tjera, sepse është hapësirë goxha e tkurrur, sa i përket aspektit fiskal në mungesë të buxhetit. Ju po e shihni që komunat që nuk kanë buxhet të miratuar si po përballen me probleme financiare për shkak të hapësirës së tkurrur fiskale, e njëjta do të ndodhë në nivel shtetëror si pasojë e papërgjegjësisë totale nga PDK, LDK AAK, Nisma të cilët nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme për ta votuar buxhetin”.
Maqedonci: Zona industriale e mbrojtjes në Gjakovë, investim për sigurinë
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se vendimi që do t’i hap rrugën ndërtimit të Fabrikës së municioneve në Gjakovë, është investim për sigurinë e vendit.
“Sot morëm një vendim të rëndësishëm për industrinë e mbrojtjes, vendim që ka të bëjë me shpronësimin e pronave në Gjakovë që do të bëhen pastaj pronë e Ministrisë së Mbrojtjes si pjesë e zonës industriale të mbrojtjes. Kjo zonë industriale e mbrojtjes do të mbështes Fabrikën e Municioneve që do të vendoset atje e do të udhëhiqet nga një kompani publike, por do të akomodojë edhe shumë prodhues dhe partnerë që mendojnë të investojnë në aspektin e mbrojtjes në vendin tonë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se kjo fabrikë do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit në shumë dimensione.




