Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje në një qendër tregtare në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime. Rasti është raportuar të mërkurën mbrëma, rreth orës 18:40, nga sigurimi i qendrës, i cili kishte ndalur të dyshuarit deri në mbërritjen e patrullës policore.
Dy personat e arrestuar janë Sh. Z., rreth 20 vjeç, dhe F. Z., rreth 15 vjeç. Të dy janë shoqëruar në stacionin policor, ku gjatë procedurave zyrtare janë sekuestruar produktet ushqimore dhe sendet tjera të vjedhura. I mituri është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe prindit, në përputhje me procedurat ligjore.
Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kishin ardhur në Shtime me një veturë të tipit Renault me targa vendore, e cila kishte rezultuar e vjedhur të njëjtën ditë në Skenderaj. Për këtë pjesë të rastit është njoftuar policia e Skenderajt, e cila do të vazhdojë procedurat për vjedhjen e automjetit.
Ndërkohë, policia në Shtime ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për procedim të mëtejmë.




