Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, duke theksuar rëndësinë historike dhe simbolikën e kësaj date për kombin shqiptar.
Në urimin e tij, Kurti tha se rrallë gjen në botë një komb tjetër që fatin e ka kaq të lidhur me një datë të vetme, sa shqiptarët me 28 Nëntorin. Ai kujtoi ngritjen e flamurit të Kastriotëve mbi Kështjellën e Krujës më 1443, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një postim të gjatë, ai ka ndërlidhur momente kyçe historike, figura të mëdha kombëtare dhe simbolet e lirisë, duke e cilësuar 28 Nëntorin si datën që ndërthur fatin e shqiptarëve përgjatë shekujve.
Kryeministri ndalet më pas te 28 nëntori i vitit 1912, kur flamuri i Kastriotëve u ngrit sërish në Vlorë dhe u shpall pavarësia e Shqipërisë, një moment që Kurti e cilëson si “Nëntori i Dytë”. Ai rikujton mendimet e Sami Frashërit për një Shqipëri të bashkuar brenda katër vilajeteve dhe fjalët e Luigj Gurakuqit, i cili e përshkruante vitin 1912 si të mbushur me vuajtje, por që solli “një send të paçmueshëm – lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e Atdheut”.
Urimi i Kurtit nuk ndalet te ngjarjet historike të Shqipërisë së Vlorës. Ai e zgjeron kujtesën kolektive edhe te Kosova dhe te figura qendrore e saj në luftën për liri. Kryeministri përmend datën e lindjes së Adem Jasharit më 28 nëntor 1955 në Prekaz, duke e cilësuar atë si Kryekomandantin e UÇK-së, njeriun që u vu në krye të luftës për çlirimin e Kosovës. Po ashtu, ai rikujton 28 nëntorin 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht për herë të parë, duke i bërë me dije botës se populli shqiptar ishte i gatshëm për çdo flijim në mbrojtje të lirisë.
Kurti nënvizon se gjithë këto ngjarje, flijime dhe përpjekje të brezave të tërë atdhetarësh janë kurorëzuar sot me ekzistencën e dy shteteve shqiptare të pavarura, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në vijim, ai shtron vizionin për të ardhmen, duke folur për një “Nëntor të Tretë” simbolik, që sipas tij duhet të vijë nëpërmjet punës dhe përkushtimit të shqiptarëve, pavarësisht se në cilin muaj apo datë mund të bie. Ai thotë se ky “28 Nëntor i Tretë” do të jetë përmbushja e amanetit të të gjithë atdhetarëve shqiptarë.
“Natyrisht, si komb evropian, , që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, shkruan ai.
Në fund të urimit, kryeministri Kurti u drejtohet të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë trojeve: “Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste: Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit!”, shkruan Kurti.




