Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me çështjen e organizimit të votimit për diasporën, duke e krahasuar modelin e Kosovës me atë të Rumanisë, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian me diasporë të madhe.
Sipas tij, Rumania në zgjedhjet e fundit presidenciale ka organizuar 965 vendvotime jashtë vendit, me qëllim që t’u mundësohet qytetarëve të diasporës qasje më të lehtë në procesin zgjedhor. Vetëm në Itali janë hapur 161 vendvotime, në Spanjë 147, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 108.
Murati ka nënvizuar se këto vendvotime nuk janë kufizuar vetëm në ambasada dhe konsullata, por janë përdorur edhe hapësira të tjera publike si salla konferencash, salla sportive dhe ambiente të marra me qira për ditën e votimit.
Ai ka rikujtuar se një model i tillë është propozuar edhe për diasporën e Kosovës, me qëllim që votimi fizik të jetë i mundur dhe më i qasshëm.
“Por çfarë bëjnë partitë opozitare në KQZ?Bëjnë ç’mos që ta vështirësojnë e pengojnë votën e diasporës”, ka shkruar Murati në Facebook.
Murati ka kritikuar kufizimin prej 1,000 votuesish për secilën ambasadë apo konsullatë, duke thënë se kjo krijon përjashtim masiv, veçanërisht në Gjermani, ku jetojnë mbi 500 mijë qytetarë nga Kosova, por ku, sipas tij, do të mund të votonin vetëm rreth 1% e tyre.
Ai tha se edhe ofertat e Ministrisë së Punëve të Jashtme për të siguruar hapësira shtesë jashtë selive diplomatike janë kundërshtuar, madje janë ironizuar nga opozita.
“S’ka asgjë për t’u tallur,” u shpreh Murati, duke theksuar se në këtë mënyrë po cenohet e drejta kushtetuese e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Sipas tij, “opozita po bën çmos që ta pengojë votën e diasporës”, ndërkohë që shumë shtete të BE-së tashmë lejojnë votimin fizik të qytetarëve të tyre në hapësira alternative jashtë vendit.



